PAQJA STUDENTORE UDHËHEQ ME PARLAMENTIN E STUDENTËVE PAS 10 VITESH

Pas një pune të palodhshme shumëvjeçare të anëtarëve tanë, Paqja Studentore udhëheq me Parlamentin e Studentëve dhe Senatin e Universitetit të Prishtinës pas zgjedhjeve të vitit 2020.

Sot, më datë 8 korrik 2020 është konstituuar Parlamenti i Studentëve i Universitetit të Prishtinës, nëpërmjet një koalicioni paszgjedhor në mes organizatave PS-UP dhe Koalicionit OPS-UDS-USPE.

Me këtë marrëveshje është paraparë që Kryetari i Parlamentit të Studentëve të UP-së, të jetë nga Paqja Studentore dhe kështu z. Erzen Hyseni, kryetar i organizatës sonë, sot me shumicën e votave të Parlamentit (10/17 deputetë), është zgjedhur Kryetar i Parlamentit të Studentëve.

Ndërkaq si nënkryetarë janë caktuar Fatlind Azizi nga Paqja Studentore dhe Nisa Ferati nga koalicioni OPS-UDS-USPE dhe gjithashtu si Sekretar i Përgjithshëm është zgjedhur Lirigzon Hoxha. Paqja Studentore do të përfaqësohet në Parlamentin e Studentëve edhe nga deputetja Hëna Rexhaj.

Organizatat në fjalë kanë arritur një rezultat fitues që u siguroi atyre më shumë se 60% të votave studentore për të qeverisur organet më të larta studentore të Universitetit të Prishtinës për dy vitet e ardhshme.

Gjithashtu, Paqja Studentore do të udhëheqë edhe në Senatin e Universitetin e Prishtinës, ku 3 studentët tanë do të përfaqësojnë në mënyrën më dinjitoze, studentët dhe universitetin tonë.

Ashtu siç kemi premtuar dhe punuar prej vitesh, ju sigurojmë që do të ndiheni krenarë me udhëheqjen tonë, e cila do të përfshijë zhvillimin e përgjithshëm të studentëve, pa asnjë lloj dallimi në ndonjë kategori.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.