S’KA ARSIM PA LIRI!

Dy të drejta të vlefshme në këtë botë, të cilat secili njeri duhet dhe lufton që t’i ketë, janë liria dhe e drejta për arsimim. Në rastin e shqiptarëve të Kosovës këto dy të drejta kanë qenë të mohuara dhe lufta për njërën ka nënkuptuar edhe luftë për tjetrën.

Sot, studentët e Republikës së Kosovës janë të lumtur që studiojnë në gjuhën e tyre amtare, që të gjitha kushtet e tyre janë shumë herë më mirë se sa të prindërve të tyre, por më e rëndësishmja është që ata nuk duhet të brengosen për lirinë e tyre sepse gjeneratat e kaluara e arritën atë me sakrificë dhe me gjak.

Një hap i madh për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb filloi me hapjen e Universitetit të Prishtinës, i cili u hap vetëm falë presionit të rinisë shqiptare përmes demonstratave të vitit 1968. Ashtu edhe vazhdoi me hapat e tjerë në dhjetëvjeçarët e ardhshëm – me demonstratat studentore, me përballjet nga helmimet e bëra nga policia serbe në Qendrën e Studentëve, ku gjithmonë themel i rezistencës do të mbeteshin studentët e Universitetit të Prishtinës.

Gjaku i lirisë rrjedh ende prej plagëve të dëshmorëve, ndërsa toka vajton ende për 1.648 njerëz të pagjetur në Kosovë dhe rreth 20,000 gra që sot e 20 vjet detyrohen të përjetojnë ferrin e përditshëm nga pasojat e përdhunimit prej kriminelëve serb. Masakrat makabre që ndodhën në tërë Kosovën ndaj civilëve të pafajshëm, përfshirë edhe foshnjeve të sapolindura, janë tjetër dëshmi e gjenocidit shtetëror serb.

Populli ynë ka vuajtur shumë dhe ka përjetuar gjëra të tmerrshme nga pushtuesit serb. Madje edhe në ditët tona po tentohet që ta dëmtojnë shtetësinë tonë të duke hedhur vrer mbi themelet e saj. Orekset e pangopura të shteteve shoviniste do të kenë gjithmonë si cak Kosovën, por ne do të mbetemi këtu përgjithmonë. Makinacionet e propagandës serbe do të dështojnë sërish dhe drejtësia ndërkombëtare do ta vërtetojë se populli i Kosovës dhe Ushtria e saj Çlirimtare kanë bërë luftë të pastër për liri.

Duke ndjekur vendosmërinë dhe idealin e studentëve të viteve të rezistencës, ne do të jemi këtu për t’i shërbyer me çdo kusht shtetit dhe popullit tonë të lirë.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.