PROJEKT HUMANITAR – Studenti për studentin

Viti i ri akademik po fillon e bashkë me të edhe aktivitetet e organizatës studentore “Paqja Studentore”. 

Siç kemi bërë çdo herë, edhe kësaj radhe, ne si organizatë (PS-UP), kemi vendosur t`iu dalim në ndihmë të gjithë studentëve, me theks të veçantë atyre të vitit të parë. 

Këtë çka u tha më lart e dëshmon fakti se PS-UP, vitin e ri akademik, do e nis me një projekt humanitar të quajtur “Studenti për studentin”.

Në kuadër të këtij projekti organizata jonë (Paqja Studentore) do të bëjë identifikimin e studentëve me asistencë sociale, veçanërisht të atyre që janë në vit të parë dhe do t`iu sigurojë literaturën (Librat) e cila iu nevojitet për vijimin e procesit mësimor.

Që të mundësohet kjo, kemi nevojë për ndihmën e studentëve të cilët në shenjë bamirësie do të dhurojnë librat e tyre.

Duke e ditur se studentët gjithmonë janë solidarizuar e kanë qëndruar krah për krah me njëri-tjetrin, jo rastësisht e titulluam këtë projekt me emrin “Studenti për Studentin”. 

Studentë ne besojmë në ndihmën tuaj, pa të cilën ky projekt do të ishte i mangët. 

“Askush nuk është varfëruar duke dhënë!”

Shpërndarja e librave do të nis me 1 Tetor, datë kjo kur edhe fillojnë ligjeratat në të gjitha fakultetet të cilat janë nën ombrellën e Universitetit të Prishtinës.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.