Anëtaret e PS-UP-së ekspozojnë punimet e tyre

Megzime Ibrahimi, Arjeta Bytyçi, Elvira Dibrani, Albiona Miftari, Jeta Hajredinaj dhe Melisa Ukshinaj, anëtare të organizatës Paqja Studentore dhe njëherit studente në Fakultetin e Arteve, kanë ekspozuar punimet e tyre.

Vajzat u shprehen se janë të lumtura që punën disa mujore arritën që ta përmbyllin me një ekspozitë të tillë, e cila tërhoqi vëmendjen e shumë artdashësve.

Megzimja, studente në Degën e Skenografisë dhe Kostumografisë tregoi për përmbajtjen e punimeve të saj.

“Tek pikturat ka dominuar bota e artit, skena teatrale dhe ndriçimi skenik. Ndërsa, kostumet janë të bazuara në shfaqjet teatrale të shekullit XVII dhe  shekullit XVIII, kryesisht të dramës “Romeo dhe Zhulieta” dhe të komedisë “Kopraci”, tha ajo.

Ndërsa, për Jetën, studentën e Degës së Grafikës punimet e saj shprehin gjendjen e brendshme të saj.

“Disa nga punimet e mija karakterizohen me fytyra të mërzitshme, të cilat kanë qenë rezultat i gjendjes sime, në një periudhë kur ka ekzistuar një kaos në fakultet, kur profesorët nuk i mbanin ligjeratat dhe këtë gjendje e kam paraqitur në këto punime”, rrëfeu ajo.

E për këtë ekspozitë dhe punimet e vajzave, krenar ndjehet edhe profesori Hajrush Fazliu.

“Te punimet e të gjitha departamenteve vërehet një punë cilësore, një vision shumë konceptual dhe modern me ide dhe motive që e ruajnë traditën e artit tonë dhe njëherit përmbushin ambiciet e studentëve”, shprehet profesori.

Artistet e ardhshme tash e një kohë të gjatë janë pjesë e organizatës tonë, për të cilën thonë se janë falënderuese për hapësirën që ajo u ofron.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.