Ish-kryetari i PSUP-së thotë se kjo organizatë është “shtëpia” ku secili student gjen mbështetje

Për Ekrem Zajmin, ish-kryetarin e organizatës Paqja Studentore, kjo organizatë ka qenë shtëpija e tij dhe e secilit student të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Derisa kujton angazhimin në këtë organizatë, angazhim i cili filloi në vitin 2009 dhe vazhdoi për katër vite, thotë se nuk është i sigurtë nëse edhe një herë tjetër do të përjetojë një kënaqësi të tillë.

“Ndër momentet më interesante kanë qenë momentet kur qëndronim deri në orët e mëngjesit në zyrë duke punuar dhe rreth mëngjesit dilnim për të kërkuar ndonjë vend ku mund të ushqeheshim. Në mesin tonë kishte shokë me sens të theksuar humori dhe shpesh zbardhte dielli duke i shijuar ato momente që rrallë mund të përsëriten”, rrëfen ai.

Përmes një aktiviteti ishte njohur organizatën dhe që nga ai moment kishte vendosur që të bëhej pjesë e saj. Duke e quajtur mjaft të suksesshëm angazhimin e tij, ai thotë se vetëm gjatë mandatit të tij janë organizuar rreth 80 aktivitete.

“Përgjatë kohës sa unë kam qenë aktivist,  PSUP ka qenë organizata më e madhe studentore në UP. Kemi pas më shumë se 2000 mbështetës të konfirmuar përmes zgjedhjeve studentore dhe më shumë se 500 aktivist të regjistruar vullnetarisht”, thotë Zajmi.

Sipas tij, këtë organizatë nga të tjerat e veçon numri i madh i aktiviteteve të organizuara. Si më të suksesshim ai e cilëson protestën kundër ngritjes së çmimit të biletave për studentë.

“Protesta në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë kundër ngritjes së çmimit të biletave për studentë ishte e veçantë, ngase ishte protesta e parë e studentëve të UP-së që protestonin për një çështje sociale që ndërlidhej drejtëpërdrejtë me interesin e tyre”, tregon ai.

Duke iu sugjeruar studentëve që të bëhen pjesë e PSUP-së, ai thotë se përvoja e fituar i ka shërbyer në të gjitha sferat e jetës, veçanërisht në vënien në praktikë e asaj se çka ka mësuar në fakultet, pasi që ai ka studiuar shkencat politike.

Aktualisht, Zajmi është duke përfunduar doktoraturën në Universitetin Yıldırım Beyazit në Ankara dhe punon “YTB”, një institucion shtetërorë në Turqi, i cili ofron shërbime për studentë ndërkombëtarë në Turqi. Gjithashtu, në këtë institucion ai është edhe mësimdhënës i gjuhës shqipe.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.