Paqja Studentore propozon formulën për marrjen e gjësendeve të studentëve nga Qendra e Studentëve

Masat e ndërmarra nga institucionet e Republikës së Kosovës për parandalimin e shpërndarjes së virusit COVID-19 dhe shpallja e Qendrës së Studentëve si zonë e veçantë e karantinimit për qytetarët e Republikës së Kosovës, kishte shtyer në zhvendosjen e të gjithë studentëve nga Qendra e Studentëve.

Masat e tilla hynë në fuqi menjëherë dhe paqartësia rreth situatës pandemike, bëri që institucionet të mos mund t’i ofronin studentëve ndihmë në marrjen e gjësendeve të lëna në dhomat e tyre në konvikte. Zhvendosja e gjësendeve u bë më shumë se dy herë, ndërkaq organizata jonë reagoi ndaj lëvizjes së shpeshtë të gjësendeve personale të studentëve.

Pas fazave vijuese që do të ndërmirren nga institucionet tona, kërkojmë nga Qendra e Studentëve dhe institucionet e Republikës së Kosovës, që të bëjnë të mundur marrjen e gjësendeve të studentëve nga dhomat e tyre, pasi që nuk parashihet që ata të rikthehen më aty deri në fund të vitit akademik 2019/20.

Me zyrtarizimin e bërë nga Ministria e Shëndetësisë për mbajtjen e  provimeve të Afatit të Qershorit, çdo student ka nevojë që t’i ketë afër librat apo gjësendet e tjera, me ç’rast studentët mund të bëjnë përgatitjen e duhur për provimet e ardhshme.

Paqja Studentore ka paraparë një formulë të bërë si mëposhtë; se si studentët banues në Qendrën e Studentëve, mund të bëjnë marrjen e gjësendeve të tyre pa thyer rregullat e vendosura nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Formula e PS-UP

Periudha e marrjes së gjësendeve duhet të e bëjë të mundur zhvillimin e këtij plani jo më larg se 15 maj.

Marrje e librave dhe gjësendeve të tjera fillon nga konviktet e pabanueshme nga qytetarët e karantinuar. Procecsi fillon njëkohësisht në dy konvikte, në të njejtën kohë ku studentëve i mundësohet marrja e gjësendeve të tyre, por që me kusht që largësia e konvikteve të jetë në nivel të duhur (p.sh. Konviktet 2-4, 3-7, 1-5, 8-6), që të shmanget mundësia e kontaktit apo edhe grumbullimeve të vogla.

Forma e rradhitjes së marrjes së gjësendeve, duhet të bëhet nëpërmjet numrit të fundit rendor të dhomës;. P.sh. Dhomat me nr. 1, 11, 21, 31, 41, 51…; me një orar kohe prej 45 minutash, kohë e mjaftueshme për secilin student/e që të zhvendos gjësendet e tij/saj nga dhoma e tyre/saj. Një student për një dhomë, të ndarë në kate dhe hyrje të ndryshme të konviktit, me një orar 45 minuta, mundëson që brenda kësaj kohe të kryhet marrja e gjësendeve nga numri i dhomave 0-9 (45 min x 10 studentë = 450 minuta ose 7.5 orë në ditë), nga një student për dhomë në një ditë.

Pas 45 minutëshit të parë, fillohet me të dytin që përfshin dhomat me numër: 2, 12, 22, 32, 42, 52…,  duke e përsëritur kështu deri në fund të orarit (8 orësh) të punonjësve të Qendrës së Studentëve. Kjo formulë përsëritet tre ditë për dy konvikte që e bënë të mundur që një dhomë e banuar nga tre studentë, të përfundojë marrjen e gjësendeve brenda tre ditëve. Kjo mënyrë siguron respektimin e distancës fizike pasi që për një hyrje (pavion), numri i fundit 1 i dhomës, përsëritet vetëm në dy dhoma të asaj hyrje, kështu që kjo e mundëson respektimin e distancës sociale dhe largon mundësinë e kontaktit me persona të tjerë.

Kjo formulë është përpiluar nga Paqja Studentore dhe në qoftë se praktikohet nga Qendra e Studentëve, atëherë QS-ja obligohet që orari i marrjes së gjësendëve të bëhet publik nëpërmjet mjeteve të informimit apo rrjeteve sociale.

Në qoftë se kjo formulë praktikohet që për një ditë të kryhen dy konvikte, atëherë ky proces zgjat 12 ditë, por nëse praktikohet që një ditë=një konvikt, atëherë zgjat 24 ditë. Në këtë mënyrë, me ruajtjen e distancës dhe rregullimin nëpërmjet një formuleje të ngjajshme sikur ajo e institucioneve të vendit, e bën më të mundshme që ky proces të funksionojë dhe studentët të marrin gjësendet që i nevojiten për përgatitjen e tyre, për afatin e provimeve që zakonisht fillon me 10-15 qershor.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.