Kërkesë për studentët që jetojnë jashtë Kosovës

Pas kërkesave të pranuara nga Paqja Studentore për tërheqjen e gjësendeve të studentëve nga Qendra e Studentëve, ne kemi qenë tërë kohën duke i ndjekur zhvillimet e fundit në shtetet fqinje të Republikës së Kosovës, që kishin të bëjnë me lëvizjen e lirë të njerëzve ndërmjet dy apo më shumë shteteve.

Me normalizimin dhe kalimin e fazave lehtësuese nga gjendja pandemike, shtetet si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, kanë filluar të bëjnë përgatitjen e hapjes së kufijve shtetërorë, ku disa prej tyre kanë paralajmëruar që, nëpërmjet një bashkëpunimi të shteteve ballkanike, kufijtë, me shumë mundësi, do të hapen më 1 qershor të këtij viti.

Paqja Studentore u kërkon institucioneve të Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Shëndetësisë, MAShTI-t, Universitetit të Prishtinës dhe Qendrës së Studentëve, që në mënyrë të koordinuar të bëjnë planin e pranimit të studentëve që vijnë nga jashtë Kosovës, duke mos i dëmtuar dhe duke i trajtuar në të njëjtën mënyrë sikurse studentët kosovarë.

Paqja Studentore u drejtohet institucioneve me këtë kërkesë:

1. Studentëve që vijnë nga jashtë Kosovës t’u lejohet hyrja në Republikën e Kosovës më së voni deri më 5 qershor
2. Të mos karantinohen studentët që hyjnë në Republikën e Kosovës
3. Të mos përdoret ndonjë lloj reciprociteti i mundshëm me Serbinë, që dëmton studentët e Luginës së Preshevës
4. Të formohet një orar i veçantë nga Qendra e Studentëve për tërheqjen e gjësendeve të studentëve që jetojnë jashtë Kosovës

Organizata jonë i njeh kushtet dhe rrethanat nëpër të cilat kalojnë studentët që vijnë nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria etj., prandaj ne i kemi konsideruar gjithmonë si pjesë të pandashme të Universitetit të Prishtinës dhe Republikës së Kosovës, për këtë ne zotohemi që do të vazhdojmë t’i mbështesim në çdo mënyrë të mundshme.