Zgjedhjet Studentore në Universitetin e Prishtinës 2020

Paqja Studentore - Zgjedhjet Online 2020

Të dashur studentë, këto ditë u zyrtarizua mbajtja e zgjedhjeve studentore në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Këtë vit, për shkak të situatës së pandemisë COVID-19, zgjedhjet studentore do të realizohen online dhe votimet do të bëhen nëpërmjet SEMS-it, më 21 qershor 2020.

Paqja Studentore si organizata më e vjetër në Universitetin e Prishtinës, po bëhet gati që të garojë në zgjedhjet e nënta studentore në historinë e saj. Gjatë gjithë këtyre viteve, me dhjetëra e mijëra studentë kaluan ose i përjetuan punët e mëdha të bëra nga Paqja Studentore.

E njohur nga veprimtaria e saj, si organizata studentore me studentët më shembullorë dhe më aktivë në kampusin universitar, ne nuk rreshtëm kurrë së dëgjuari kërkesat e studentëve dhe u bëmë zëri i tyre më i fuqishëm për 15 vjet me radhë.

Të qenët organizata me më së shumti aktivitete dhe projekte të zhvilluara, ku vetëm në dy vitet e fundit numërojmë më shumë se 30 aktivitete të realizuara në mënyrë perfekte, të gjitha të bëra në mënyrë vullnetare nga studentët më të mirë të universitetit.

Vetëm në tre muajt e fundit, falë punës dhe takimeve të Paqes Studentore me zyrtarë të lartë nga MAShT-i, u hoq kushti që i obligonte studentët të kryenin kurse të gjuhëve të huaja të nivelit A2 dhe u rikthyen bursat e studentëve që dhurohen nga MAShT-i.

Falë kërkesave dhe ideve të Paqes Studentore për tërheqjen e gjësendeve të studentëve nga Qendra e Studentëve, u pranua dhe u organizua orari nga Qendra e Studentëve, e që ishte identik me atë të propozuar nga Paqja Studentore.

Ne nuk pushuam as gjatë kohës së izolimit, duke organizuar ligjëratën “Higjiena mentale në kohë pandemie”, me kusht që t’u rrimë sa më afër studentëve dhe nevojave të tyre emocionale gjatë kohës së izolimit. Pos kësaj, u themeluan Klubi i Leximit dhe Klubi i Filmit, që i bashkuan qindra studentë të interesuar.

Të gjitha këto gjëra u realizuan vetëm në tre muajt e fundit, ndërkaq me dhjetëra aktivitete të tilla zunë vend muajve dhe viteve paraprake, me të vetmin qëllim, për t’i bërë më të lehta dhe të paharrueshme studimet në Universitetin e Prishtinës.

Së bashku më 21 qershor, në një mënyrë të re dhe të veçantë, por me një qëllim të njejtë dhe të pakthyeshëm, Paqja Studentore do të rikthehet aty ku i takon vendi, për të udhëhequr me dinjitet dhe me nder dhe për t’i përfaqësuar studentët e Universitetit të Prishtinës në mënyrën më fisnike të mundur.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.