Paqja Studentore ua beson grave kandidaturën në zgjedhjet studentore të UP-së

Altiana Zogaj, Edona Ramiqi, Edona Mushica, Elita Tigani, Elvira Dibrani dhe Valmire Krasniqi, pas 21 qershorit do të drejtojnë disa nga fakultetet e Universitetit të Prishtinës, ndërsa Hëna Rexhaj do të përfaqësojë interesat e studentëve në Parlamentin Studentor.

Krejt kjo do të bëhet e mundur falë përkrahjes që këto gra do të marrin nga studentët e UP-së, përmes votës elektronike në zgjedhjet studentore. Të gjitha këto e shumë gra të tjera, të cilat tashmë janë bërë pjesë e listave për kandidim në organet qeverisëse studentore, janë propozuar nga organizata studentore Paqja Studentore (PS-UP).

Anëtari i Kryesisë së Paqes Studentore, Mustafë Hoxha, ka thënë se kjo organizatë gjithmonë ka lobuar që në pozitat udhëheqëse të vendosen gratë.
“Paqja Studentore sikurse edhe në zgjedhjet e mëparshme, por edhe në këto zgjedhje, mbetet organizata e vetme në UP-së e cila u jep hapësirë grave në vendimarrje, duke i trajtuar në mënyrë të barabartë me burrat. E nëse kthehemi në të kaluarën është prapë Paqja Studentore organizata e parë në UP e cila kandidoi një grua në Senatin e UP-së, e cila u bë senatorja e parë në historinë e këtij universiteti”, ka rrëfyer Mustafa.

Hëna Rexhaj, kandidate për anëtare në Parlamentin Studentor, tha se përmes këtyre kandidimeve do të arrihet fuqizimi i grave.
“Organizata studentore ”Paqja Studentore”, për nga natyra dhe fushëveprimtaria e saj konsiderohet një dhe e vetmja sa i përket tolerancës dhe mirëpritjes së kandidimeve përkatëse. Personalisht, kandidimin tim e kanë përkrahur maksimalisht mirë, ku përveq kësaj kam pasur edhe përkrahje morale, këshillime dhe sugjerime mbi idenë e ndërtimit të kuazave    gjithëpërfshirëse në UP, e mbi të gjitha të përpiqemi për ndryshime rrënjësore dhe konkrete”, ka thënë Hëna.

Ndërsa, kandidatja për kryetare të Fakultetit të Arkitekturës, Edona Ramiqi ka thënë se ka pasur përkrahjen e kësaj organizate për kandidim.
“Fatkeqësisht ndonjëherë ekziston edhe diskriminimi ndaj gjinisë femërore për pozita të cilat përfshijnë vendimarrje të rëndësishme, mirëpo me një oragnizatë të tillë sikur Paqja Studentore, nuk kam ndjerë asnjë pengesë sa i përket kandidimit apo gjithçka tjetër”, ka thënë ajo.

Përkrahjen e organizatës thotë ta ketë pasur edhe kandidatja në Fakultetin e Bujqësisë.

” Paqja Studentore më ka përkrahur në çdo mendim që kam pasur rreth përmirësimit të jetës studentore, pasi që është vet qëllimi bazë i organizatës.”, ka thënë kandidatja për kryetare Elita Tigani.

Të gjitha këto gra njëzëri ftuan studentet që  pavarsisht sfidave dhe paragjykimet me të cilat mund të përballen, të mos dorëzohen dhe të vazhdojnë të ecin përpara e të përkrahin gratë tjera. 

Zgjedhjet studentore në Universitetin e Prishtinës do të mbahen këtë të diele, më 21 qershor, në mënyrë elektronike dhe do të pasohen nga zgjedhjet e brendshme për staf akademik, zgjedhjet e dekanëve dhe të rektorit të UP-së.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.