BIBLIOTEKAT DUHET TË HAPEN

bIBLIOTEKAT

Gjendja e rëndë me të cilën po përballemi prej muajsh na e ka pamundësuar që t’i kryejmë të gjitha obligimet e përditshme që i kishim më parë. Duke shpresuar që pandemia e virusit COVID-19 të përfundojë sa më parë, ne duhet të jemi të gatshëm që të bëjmë rihapjen e duhur të sektorit të arsimit të lartë, duke respektuar udhëzimet e IKSHPK-së dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ne i respektojmë të gjitha udhëzimet e dhëna nga ekspertët për ruajtjen e shëndetit publik, por e shohim të arsyeshme, që me kujdes të shtuar dhe me vendosjen e masave mbrojtëse, mund të bëjmë hapjen e bibliotekave në Republikën e Kosovës. Duke u mbështetur edhe në përvojat e rihapjes të sektorëve të tjerë, besojmë plotësisht që hapja e bibliotekave do të bëhet në mënyrën më të mirë dhe do të jetë shembull për sektorët e tjerë.

Studentët do t’u nënshtrohen provimeve të Afateve të Shtatorit (Shtatori I dhe II), në më pak se 30 ditë (1 muaj), kështu që ata duhet të jenë të përgatitur dhe të motivuar që të jenë të suksesshëm në provimet e tyre. Ndërkaq, shumë studentë të tjerë absolventë, janë duke u përgatitur për të diplomuar dhe atyre u nevojitet hapësira dhe materialet e bibliotekave tona. Në anën tjetër, edhe shumë maturantë të shkollave të mesme, janë duke u përgatitur për të qënë pjesë e universiteteve në vitin e ardhshëm akademik 2020/21, përgatitje të cilën do ta kishin shumë më të lehtë me hapjen e bibliotekave.

Ne e shohim të arsyeshme që bibliotekat duhet të hapen, sepse studentët duhet të zhvillohen dhe të mos pengohen në rritjen e tyre akademike. Ne duhet t’u japim atyre mbështetje dhe motivim për ngritjen e tyre akademike dhe jo t’i shtymë ata drejt shfrytëzimit të kotë të kohës së lirë nëpër vende jo të duhura për studentë.

Paqja Studentore si udhëheqëse e Parlamentit të Studentëve dhe Senatit të Universitetit të Prishtinës, beson që IKSHPK-ja, Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, nën këshillimin dhe udhëzimin e duhur nga ekspertët mjekësorë, do të bëjë hapjen e bibliotekave të vendit, duke ua mundësuar studentëve ngritjen e kapaciteteve intelektuale për brezat e ardhshëm të Kosovës.    

PS-UP

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.