PS-UP i kërkon UP-së të mos përfshijë në provimet pranuese temat që janë zhvilluar online

Paqja Studentore i është drejtuar me një kërkesë Senatit të Universitetit të Prishtinës, duke i kërkuar mos përfshirjen e pyetjeve nga temat që janë zhvilluar online në provimet pranuese të konkursit për pranimin e studentëve të vitit akademik 2020/2021.

Sipas kësaj organizate, kjo kërkesë vie si pasojë e shqetësimeve të adresuara nga maturantët.

“Ne mendojmë se gjatë kësaj kohe jo të gjithë nxënësit kanë mësuar mbi temat e reja në tempo dhe me të njëjtën cilësi. Po ashtu, ka pasur nxënës që për shkak të problemeve teknike nuk kanë mundur të kyçen në orët virtuale”, thuhet në kërkesë.

Këtë kërkesë Paqja Studentore e arsyeton duke thënë se mësimi në këtë kohë është zhvilluar në presion të situatës së krijuar nga pandemia COVID -19.

“Duke qenë se është hera e parë që nxënësit kanë mësuar në këtë formë, si dhe duke pasur parasysh presion e krijuar nga situata me pandeminë, vlerësojmë se zhvillimi i koncepteve të reja në kushte shtëpie ka qenë i vështirë”, thuhet tutje në kërkesën e tyre.

Kujtojmë që nga këto tema nuk janë përfshirë në provimin shtetëror të maturës të këtij viti.

17.105 nxënës kanë kaluar testin e maturës, të cilët shumë shpejt mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e Universitetit të Prishtinës, pasi që ky i fundit ende nuk e ka hapur konkursin për pranimin e studentëve të rinj.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.